“Der Spiegel” shkruan për Skënderbeun: Si manipulimet e ndeshjeve shkatërruan futbollin shqiptar

Revista e njohur gjermane Der Spiegel” i ka kushtuar sot vëmendje përsëri futbollit shqiptar, e sidomos temës së manipulimit të ndeshjeve. Duke marrë për bazë rastin e Skënderbeut, në versionin e saj online, ajo sot i ka kushtuar një artikull kësaj teme, me titullin “Si manipulimet e ndeshjeve shkatërruan futbollin shqiptar”.

Gazetari gjerman Hardi Grune, kishte vizituar Korçën dhe kishte dëgjuar nga tifozët versionin e tyre të ngjarjeve. ‘I gjithë qyteti u trondit. Me sukseset, krenaria erdhi në Korçë dhe tani gjithçka mbaroi”, tregoi një prej tyre për revistën gjermane. “Nuk dua të them se nuk ka ndodhur asgjë, se nuk ka pasur manipulime. Kjo është e sigurt. Por dënimi është absurd. Unë e di se çfarë do të ndodhë tani, në më pak se një vit, financuesi i klubit do të largohet. Ai do të dëshirojë që të shohë një fitim nga investimi i tij. Pastaj do të fiken dritat. Një katastrofe”, pranoi tifozi i klubit korçar.

Në këtë reportazh flet edhe gazetari i SuperSport, Andi Deçka, i cili insiston se problemet me manipulimet e ndeshjeve, kanë sjellë përfundimisht edhe braktisjen e stadiumeve nga tifozët. “Njerëzit nuk shkojnë më në stadium, pasi e shohin dhe nuk duan që të tallen me ta”, tha ai duke folur edhe për presidentin e FSHF-së, Armand Duka. “Klika e tij sundon kudo, asnjë politikan nuk përballet me të”.

Ndërkohë, tifozët korçarë shohin një të ardhme shumë të zymte. “Problemi është lidhja e ngushtë mes politikës, sindikatave të basteve dhe mafies së drogës. Nëse nuk e kalojmë këtë, futbolli në Shqipëri ka vdekur”. /E.Kuka/vipsport.al/