De Biazi takon drejtues të Sampdorias, rivali i tij më i madh është ish-trajneri i Milanit

Sampdoria është ende në kërkim të trajnerit ri teksa drejtuesit po marrin kohë për të bërë vlerësimet dhe zgjedhjen e duhur. Duket se kandidatët janë ngushtuar në dy. I pari në listë është ish-trajneri i Shqipërisë, Xhani De Biazi. Ndërsa, një alternativë konkrete mbetet edhe ish-tekniku i Milanit, Xhenaro Gatuzo. Për momentin në avantazh duket De Biazi, kjo edhe sepse tekniku është takuar personalisht me drejtorin sportiv dhe skautin e Sampdorias.

Vetë De Biazi është shprehur se ishte thjesht një takim mes miqsh dhe se asnjë nuk duhet të nxitohet të dalë në konkluzione. “ Kemi pasur një drekë mes miqsh dhe për të folur për punë. Jemi miq prej vitesh. Mos thoni që do të jem trajneri i ardhshëm i Sampdorias sepse nuk do të ishte konkrete.

Shoqëria po bën vlerësimet dhe po merr në konsideratë disa kandidatura, duke përfshirë edhe veten. Një fakt që më bën krenar”, u shpreh De Biazi. Nga ana tjetër, presidenti Ferrero preferon Gatuzon në krye, megjithatë tekniku nuk duket i bindur për projektin dhe ditën e sotme pritet një përgjige nga ana e tij. /Egi Çabeli-VipSport.al/