Daja: Kukësi ka individë të rrezikshëm, më e vështirë ta nisësh nga e para me një ekip si Skënderbeu

Dueli mes Skënderbeut dhe Kukësit është kthyer një klasike të futbolli shqiptar gjatë viteve të fundit, një duel i cili ka dhuruar gjithmonë shkëndija. Por këtë herë, situata është disi më ndryshe, pasi Kukësi vjen nga një seri jo edhe aq mbresëlënëse ndërsa skuadra korçare ka pasur luhatje të mëdha edhe pse e sheh veten në grupin kryesues të Superiores.

Megjithatë, për trajnerin Ilir Daja kjo mbetet një ndeshje shumë e komplikuar, sidomos duke pasur parasysh kualitetet që do të ketë përballe ekipi i tij.

“Kemi një kundërshtar shumë të fortë se pretendimet e Kukësit në dekadën e fundit kanë qenë gjithmonë maksimale. Ka ekip ku duhen vlerësuar individët se mund të jenë shumë të rrezikshëm. Duhet të jemi të kujdesshëm për të vlerësuar cilësitë e kundërshtarit, por do të kemi objektiv fitoren”, tha Daja.

Nga ana tjetër, ai vazhdon të insistojë se luhatjet do të vazhdojnë derisa të ndërtohet grupi solid i Skënderbeut me këtë projekt të ri që ka filluar. “Sigurisht që do të ketë ende në vijimësi oshilacione se u mbyll cikli me Skënderbeun që bëri histori e ka filluar cikël i ri. Nganjëherë është më e vështirë të rifillosh nga e para me një emër të madh si Skënderbeu se me një ekip që nuk ka qenë në këto pozita”:, tha ai. /vipsport.al/