Çështja e mbështetjes turke kthehet në problem, klubi gjerman largon lojtarin

Po merr përmasa gjithnjë e më të mëdha çështja e mbështetjes së sulmit të ushtrisë turke në Siri. Fillimisht ishin futbollistët e Kombëtares, të cilët në golin e shënuar ndaj Shqipërisë, u rreshtuan dhe përshëndetën në mënyrë ushtarake.

Por, jo vetëm nga fusha, pasi shumë lojtarë turq të shpërndarë nëpër klube të ndryshme europiane kanë treguar mbështetjen ndaj ushtrisë nëpërmjet postimeve në rrjetet sociale. Më keq e ka pësuar futbollisti i St. Paulit në Bundesliga 2, i cili është përjashtuar nga klubi. Xhenk Shahin, ashtu si shumë prej bashkëkombasëve të tij turq, mbështetën ushtrinë.

Klubi gjerman u shpreh se do ta kalonte këtë pjesë me një masë disiplinore, por tashmë ka vendosur ta lërë të lirë futbollistin të largohet e të gjejë një tjetër klub për të vazhduar aventurën e tij. Tashmë, me shumë mundësi Shahin do të kthehet në Turqi, aty ka interes nga Bashaksehir.

/Egi Çabeli-VipSport.al/