Bylisi, ja situata me dëmtimet para transfertës me Luftëtarin

Pas dy miqësoreve të zhvilluara me dy pretendentët e Grupit B të Kategorisë së Parë, Lushnjën dhe Apoloninë, ballshiotët i janë rikthyer stërvitjes. Qëllimi i miqësoreve ka qenë aktivizimi i të gjithë lojtarëve dhe duket se ky mision është kryer më së miri pasi në fushë si me Lushnjën ashtu edhe Apoloninë janë parë të gjithë lojtarët.

Bylisi duket se ka shtuar radhët në infermieri. Në ndeshjen me Apoloninë, ballshiotët kanë pasur dy dëmtime e për fat të keq bëhet fjalë për dy mbrojtësit të cilët janë detyruar të lënë ndeshjen. Jurgen Goxha e Stivian Janku që kanë qenë titullarë në ndeshjen e fundit në Laç, aty ku ka munguar edhe azerbajxhanasi Elton Turabov.

Pa harruar që në Gjirokastër, në sfidën e fundjavës në kampionat, Bylisi nuk do të ketë për lojë Ditmar Bicajn e pezulluar pas së kuqes që mori në Laç. Shto edhe Antonin që është në fazë riaftësuese, shkon në katër numri i lojtarëve që kanë probleme te ballshiotët. Gjithsesi, në seancën e sotme do të duket situata më e qartë e Goxhajt dhe Jankut.

Por edhe e Turabovit, azerbajxhanasit që luan para mbrojtjes por edhe si qendërmbrojtës. Drejtuesit dhe stafi mjekësor janë të angazhuar në rikuperimin e lojtarëve, aq më tepër që bëhet fjalë për 3 titullarë të këtij sezoni.

Bylisi luan një tjetër sfidë në transfertë dhe këtë herë ballshiotët luajnë në Gjirokastër. Ballshiotët kanë gjashtë javë pa disfatë, ndërsa nga sot nisin të mendojnë për ndeshjen e radhës në Superiore ku synojnë marrjen e pikëve maksimale.

E.S./Vipsport.al/