Bushi: Objektivi i Shpresave të çojnë lojtarë në Kombëtare, djemtë kanë detyrimin moral të lagin fanellën

Trajneri i ekipit Shpresa, Alban Bushi ka dalë në konferencën për shtyp para ndeshjes së nesërme përballë Kosovës. Një sfidë e vlefshme për kualifikueset e europianit. Tekniku Bushi është shprehur se në futboll janë të tre rezultatet, ndërsa theksoi se objektivi i U 21 është dërgojë sa më shumë lojtarë në Kombëtare. Ndër të tjera, Bushi tha se Broja do të jetë e ardhmja e sulmit.

“Nuk kemi asnjë lloj ndjesie ekstra, thjesht është një ndeshje e radhës për ne. E kemi përgatitur mirë. Gjëja pozitive është se kemi pasur shumë ditë në dispozicion, pothuajse shtatë ditë. Të tetën është ndeshja. Kemi bërë atë lloj strategjie, që do e shprehim nesër në fushë, për të mundur ekipin e Kosovës. Mendoj se do të jetë një ndeshje e fortë. Kosova ka në përbërje lojtarë shumë të mirë, ka më shumë pikë se ne, por kjo nuk do të thotë se ata janë më të mirë se ne. Ditën e martë pres një ndeshje shumë të luftuar nga ekipi ynë dhe jam i sigurt për këtë. Mbështetja e tifozëve do të jetë maksimale për ta mundur Kosovën. Lojtarë në Kombëtaren A? Është pozitiv fakti që kanë shkuar lojtarë tek ekipi A. Shumë futbollistë të ekipit U21 janë marrë nga ekipi A. Kjo tregon se po punohet mirë tek të gjitha ekipet e moshave të kombëtares. Shumë lojtarë vijnë nga poshtë, ne i aktivizojmë dhe i bëjmë gati për ekipin A. Kjo ka edhe anën negative, pasi prishen ekuilibrat në skuadër. Mundohemi ta rregullojmë ekipin Shpresa. Me Austrinë patëm 8 mungesa dhe nuk kishim ekuilibër. E rëndësishme është që ekipi A të ketë një ekip që tregon forcë, siç bëri në Turqi. Reja mund të marrë këdo lojtar kur të dojë. Shpresat kanë si objektiv të çojnë lojtar në kombëtare. Nëse do kemi një grup të plotë, atëherë mund të flitet edhe për rezultate. Sigurisht që rezultatet duhet të jenë të pranishme, pavarësisht objektivit të institucionet për të çuar sa më shumë lojtarë lart.

Broja? Të gjithë lojtarët që janë në ekipin kombëtar, janë lojtarët më të mirë të momentit. Për këtë arsye i përzgjedhim. Broja është një lojtar i perspektivës, me moshë shumë të vogël në krahasim me ekipin aktual. Mendoj se do të bëhet një lojtar shumë i mirë, ndaj edhe e kemi aktivizuar. Kam besim se do të ecë shumë. Do të jetë e ardhmja e sulmit, se bashku me lojtarët e tjerë. Përballja me Kosovën? Në futboll janë të tria rezultatet. Ndodh siç na ndodhi ne me Andorrën, ku shumë kush thoshte që ose barazojmë ose fitojmë, sikurse kishte edhe të tjerë që thoshin vetëm fitojmë.

Nuk jam i këtij mendimi, të tria rezultate janë të pranueshme. E rëndësishme është të japësh maksimumin dhe të dalësh me kokën lart, siç doli Shqipëria me Turqinë brenda Stambollit. Nëse bëjmë maksimumin, ne dalim krenarë, pavarësisht rezultatit. E kam thënë edhe herë tjetër, kemi djem shumë të rinj. Janë këtu për të mësuar dhe për të shkuar në ekipin kombëtar. Ndonjëherë do qeshim, ndonjëherë do qajmë. Duhet që djemtë të lagin fanellën, e kanë detyrim moral, e kanë detyrim kombëtar për të dhënë maksimumin. Duhet që të gjithë të bëjnë maksimumin që të fitojmë, jo se kemi Kosovën përballë. Këta djem e meritojnë të fitojnë, pasi kanë bërë lojëra të bukura dhe kanë qenë pa fat. Ndonjëherë e kemi pësuar edhe për gabime tonat. Ndeshja me Kosovën do jetë krejt tjetër dhe do e shihni në fushë”, u shpreh Bushi.