Bushi: Muriqi nuk ka qenë lojtar kushedi, pranojnë Shqipërinë dhe më pas fikin telefonin e shkojnë te Kosova

Shqipëria U21 arriti të merrte një fitore me rezultatin 2-1 kundër Kosovës U21, fitore kjo që në fakt ka sjellë edhe polemika të shumta duke qenë se Kosova i dha fund në një farë mënyre ëndrrës për t’u kualifikuar në Europian. Ndërkohë, trajneri i Shpresave, Alban Bushi ishte i ftuar në emisionin “Pressing” ku foli në lidhje me situatën e talenteve, trajnerët e Kombëtares si edhe sulmuesin Armando Broja i cili ishte më i dalluari kundër Kosovës.

Trajnerët? “Këtu kanë ardhur trajnerë shumë të mirë, nuk mund t’i marr me emra, por Oto Bar i ka dhënë shumë Shqipërisë. De Biasi çoi Shqipërinë në Europian, ishte një zgjedhje shumë e mirë. Normalisht, do të ketë dhe zgjedhje të gabuara, por e rëndësishme është të korrigjohesh sa më shpejt. Federata ka bërë zgjedhje të mira, dhe të gabuara. Nuk ka rëndësi sa kohë duhet të korrigjosh, trajneri Panuçi pati kohën e duhur për të bërë mirë. Plus që kishte dhe kontratën e tij. Nuk shoh ndonjë problem të madh te trajnerët e Shqipërisë, pasi shumica e  zgjedhjeve kanë qenë të mira. Vendimet që ka marrë Reja, ka marrë vendime shumë të qeta dhe të mira. Ka marrë lojtarët që e meritojnë plotësisht të luajnë”.

Panuçi? “Nuk shoh ndonjë problem as me Panuçin. Iku në Turqi dhe mori rezultat të mirë, por ende thoshin që është ekipi i De Biasit dhe ai nuk ka meritë. Meritat ishin të tijat. Pastaj, gjatë rrugës, pati problemet e tij dhe rezultatet nuk ishin të duhura.

Reja? “Ne jemi një Federatë e vogël, nuk mund të marrim emrat më të mëdhenj të futbollit. Kemi marrë më të mirët e mundshëm me aq mundësi sa kemi. Reja ka sa e sa ndeshje në Serie A dhe duhet të jetë nder i madh për shqiptarët që kemi një trajner të tillë këtu. Pse ndjellim të keqen? Pse themi që do dështojë? Ai është një trajner shumë i mirë. Ekipi kombëtar është në rritje, mos shihni një ndeshje. Patjetër që do të festoja për fitoren ndaj Moldavisë.

Talentet? “Ne jemi munduar të zgjedhim më të mirët. Muriqi ka qenë te Shpresat nën drejtimin e Gegës, por nuk ishte ndonjë lojtar kushedi. Ka lojtarë që rriten në moshën 22-23 vjeç. Shqipëria ka sjellë shumë lojtarë të mirë. Ata që kanë iku te Kosova kanë bërë zgjedhjen e tyre. Ka shumë lojtarë që më kanë thënë “do vij te Shqipëria” e nesër nuk më kanë hapur telefonin, duke shkuar te Kosova”.

Shpresat? “Vetëm katër vitet e fundit, 14 lojtarë të Shpresave kanë marrë pjesë tek ekipi A. Ne ku ta gjejmë që të mos shkojnë shumë, sepse do të thotë që ekipi i parë është shumë mirë. Nuk është se ekipi kombëtar bënë rinovim gjithmonë. Momentalisht, kemi një mesatare moshe shumë të ulët, 23-24 vjeç. Është një rinovim që bëhet gjithmonë në kombëtare, vijnë 10, ikin 10. Mund të shkojnë 10% nga Shpresat, 80%, nuk ka shumë rëndësi. Jemi rritur shumë në ekipet zinxhirë dhe kemi filluar të shkojmë në çdo shtet, duke parë lojtarë. Suedi, Angli, Itali, kudo. Po të shikojmë rastin e Brojës, e kam thënë që do të bëhet një lojtar shumë i madh, ndoshta më i madhi. Nesër-pasnesër mund të thoni që jam në një vend nga është Broja. Me sa e njoh Brojën, ai është 100% shqiptar. Ai do të luajë vetëm me Shqipërinë, por në të ardhmen nuk i dihet”, u shpreh Bushi. /VipSport.al/