Bunjaku zbulon “krisjen” me De Biazin: U fut në dhomat e lojtarëve të Kosovës t’i bindte për Shqipërinë

Ndeshja miqësore e vitit 2015 mes Kosovës dhe Shqipërisë ishte një festë e madhe mes dy ekipesh, por edhe u kthye me sa duket në “mollë sherri” mes trajnerëve të dy përfaqësueseve, pasi që atëherë, marrëdhëniet e Albert Bunjakut me Xhani De Biazin nuk ishin më si më parë dhe nuk munguan deklaratat polemizuese mes të dyve. Vetë Bunjaku ka treguar arsyen e kësaj krisje e cila mori përmasa publike pasi Kosova u njoh nga FIFA dhe UEFA, kur një pjesë e futbollistëve të Shqipërisë iu bashkuan asaj.

Bunjaku ka treguar se në atë miqësore të zhvilluar katër vite më parë, nuk kishte pëlqyer se si De Biazi dhe ndihmësi i tij, Paolo Tramexani, ishin munduar të rekrutonin futbollistët e përfaqësueses së Kosovës gjatë natës, pasi ekipet ndanin të njëjtin hotel.

“Çka nuk më ka pëlqyer është se në mbrëmje ka pasur aktivitete prej dy trajnerëve, kanë shkuar në dhoma të lojtarëve të Kosovës dhe janë munduar që t’i bindin lojtarët e Kosovës të shkonin të luanin për Shqipërinë. Ajo nuk më ka pëlqyer se ne ishim në fazën e krijimit të gurëve kryesorë për t’i vendosur që të krijonim një Kombëtare, përderisa Shqipëria jo që e ka krijuar themelin, por e ndërtoi katin e parë e me kualifikimin për mendimin tim ishte kati i dytë. Unë për t’i ndihmuar, i ndihmoja edhe katin e tretë le ta bënte, mirëpo meqenëse unë e kisha detyrë që të krijoja, për mua ka qenë e rëndësishme që të kisha Bersant Celinën, Hekuran Kryeziun apo lojtarët që kanë qenë të asaj kohe.

Po, De Biazi ka tentuar t’i bindë të shkonin te Shqipëria edhe pse ne e kemi ditur që do pranohemi në UEFA e FIFA dhe kjo për mua ka qenë pak e rëndë”, ishte rrëfimi i Bunjakut në një intervistë të dhënë për “Reporteri”, duke treguar këtë prapaskenë të asaj miqësoreje e cila me sa duket nuk u mbyll në mënyrë aq vëllazërore. /vipsport.al/