Bundesliga/ Bajern Mynih befasohet nga Augsburgu, Abrashi luan një pjesë lojë në disfatën e Frajburg

Në javën e tetë të Bundesligës, Bajerni i Mynihut është suprizuar në minutat e fundit të ndeshjes në derbin ndaj Augsburgut, teksa rezultati përfundimtar ishte 2-2. Bavarezëve nuk i mjaftoi edhe forma e jashtëzakonshme e Levandovskit, i cili gjeti rrugën e rrjetës për ndeshjen e tetë radhazi në Bundesligë. Sulmuesi polak realizoi golin e barazimit, pasi më parë Augsburgu kishte marrë avantazhin falë golit të Rikter, i cili shënoi në minutën e parë duke shtangur kundërshtarët.

Me rezultatin e barabartë u mbyllën edhe 45 minutat e para, ndërsa në fraksionin e dytë të ndeshjes, Bajerni gjeti avantazhin me autor Gnjabri. Rezultati nuk ndryshoi deri në fund, aty ku vendasit nuk ishin dorëzuar dhe gjetën golin në minutën e parë shtesë me sulmuesi Finbogason. Bajerni shtanget dhe nuk ka kohë për të ndryshuar fatet e takimit duke u ndalur në barazim, pas humbjes në javën e kaluar ndaj Hofenhajmit.

Ndërkaq, sa iu përket takimeve të tjera, Frajburgu i Abrashit është mposhtur në transfertë nga Unioni i Berlinit me rezultatin 2-0. Mesfushori shqiptar u aktivizua vetëm në 45 minutat e para. Edhe Verderi i Rashicës u ndal në barazim 1-1 në shtëpi ndaj Hertës së Berlinit. Rashica u aktivizua për 87 minuta, por nuk mundi të ndryshonte rezultatin.

Rezultatet:

Augsburg- Bajern Mynih 2-2

Dyseldorf- Mainz 1-0

Lajpcig- Volfsburg 1-1

Union Berlin- Frajburg 2-0

Verder Bremen-Herta Berlin 1-1