Bufon: Na pëlqen filozofia e Sarrit, vetëm Juventusi mund të më bënte të pranoja këtë rol

Portieri Xhanluixhi Bufon vazhdon ende në moshën 41-vjeçare të jetë aktiv në pasionin e tij për futbollin. Legjenda e portës u rikthye këtë sezon te Juventusi, pas një aventure njëvjeçare me Parisin. Shumë menduan se Bufon do të tërhiqej nga futbolli i luajtur, megjithatë gardiani mbetet aktiv edhe pse tashmë në rolin e portierit të dytë. Një rol që siç shprehet Bufon e ka pranuar ta bëjë vetëm te bardhezinjtë. Bufon ka komentuar edhe mbi trajnerin Sarri ku ka theksuar se ka filluar t’i pëlqejë filozofia e tij dhe se janë duke u përpjekur të mësojnë diçka ndryshe nga këto 10 vitet e fundit.

“ Trajneri është shumë i qartë dhe ne duam të mësojmë diçka ndryshe nga këto 10 vitet e fundit. Ne na pëlqen shumë filozofia e tij dhe lojtarët e mëdhenj kanë nevojë për stimulim. Ai ka një karrierë 30-vjeçare dhe ka arritur pikën më të lartë te Juventusi. Është shumë i bindur për atë që i transmeton skuadrës. Paraqitjet dhe rezultatet do të vijnë.  Jam shumë i lumtur por në fillim kisha disa dyshime.

Dyshime për pranimin e këtij roli, por me shumë qetësi dhe duke folur me familjen, mendova se i vetmi ekipi që mund të më bënte ta pranoja këtë situatë ishte Juventusi. Pas këtij reflektimi pranova dhe kisha të drejtë. Jam i lumtur për të gjithë harmoninë në dhomat e zhveshjes, për vlerësimin nga shokët, nga fakti që mund të përqafoj fansat e mi, djemtë me të cilët kam ndarë shumë në fushën e lojës. Ky është kuptimi i të gjithave dhe jam i lumtur”, u shpreh Bufon.

/Egi Çabeli-VipSport.al/