Besnikëria e Keidi Bares: Nëse klubi ka nevojë unë sakrifikohem, nuk ka problem nëse nuk më paguajnë

Keidi Bare ka qenë në ndeshjet e fundit një nga futbollistët më të dalluar të Kombëtares, ndërkohë që ndaj Moldavisë ai arriti të shënonte edhe golin e parë me kuqezinjtë. Sakaq, Bare është rikthyer në Spanjë dhe ka nisur përgatitjet me skuadrën e tij ku edhe ka dhënë një intervistë për mediat spanjolle.

Malaga e sheh veten në vështirësi në këtë fillim sezoni dhe në krizë ekonomike. Ndërkohë, shumë futbollistë duhet të shiten për të përmirësuar financat e klubit dhe një ndër to mund të jetë edhe Bare, diçka të cilën e ka pranuar edhe ai. “Kam edhe 2 vite në kontratë. Jam 100% i përqendruar dhe duke menduar për Malagën. Nëse do të ketë oferta do të dihen nga klubi. Jam i fokusuar që të bëj gjërat mirë dhe të shpëtoj skuadrën nga kjo situatë.

Unë nuk dua që të largohem por nëse klubi ka nevojë për diçka të tillë dhe më thotë se duhet të sakrifikohem për të shkuar në një klub tjetër, nuk kam çfarë bëj. Jam si në shtëpinë time te Malaga dhe më trajtojnë shumë mirë por nëse vendosin të largohem, nuk kam kundërshtime, jam dakord”, tha mesfushori shqiptar.

Keidi Bare u largua nga Atletiko Madrid dhe Malaga i dha besim mesfushorit. Për këtë hapësirë të dhënë, Keidi Bare ka falënderuar skuadrën dhe tifozët. “Falënderoj Malagën dhe tifozët sepse ky klub më ka dhënë gjithçka deri sa u bëra titullar. Nëse vjen koha për të mos na paguar, gjë të cilën nuk e besoj por e mirëpresim. Duam të hamë por kam luajtur futboll që fëmijë dhe më pëlqen ky profesion. Nëse nuk më paguajnë një muaj, nuk kam çfarë bëj por nuk ndihem i mashtruar”, shtoi mesfushori i Kombëtares.

Keidi arriti të shënonte golin e parë me Kombëtaren dhe këtë gol e ka konsideruar një ëndërr të realizuar. “Ishte goli im i parë me ekipin Kombëtar. Jam shumë i lumtur sepse ishte një ëndërr për mua, por tani shpresoj që të shënoj edhe me Malagën. Kualifikueset janë komplikuar sepse humbëm në momentin e fundit, por futbolli kështu e ka, duhet të vazhdojmë sepse kemi Kombëtare në moshë të re”, u shpreh Bare.

Ai u ndal edhe te situatat në fushën e blertë aty ku sillet edhe gjaknxehtë. Kartonët kanë qenë të shumtë për të ndërkohë që u shpreh se ka punuar. “Në verë kam punuar që të jem më i qetë në fushë sepse më janë treguar shumë kartonë të verdhë. Dua të bëj më të mirën për skuadrën dhe prandaj kam marrë kartonë. Stafi më ka ndihmua shumë, që pak nga pak të qetësohem”, tregon mes të tjerash mesfushori 22-vjeçar. /Erjon Allaraj-VipSport.al/