Barcelona mendon për të ardhmen, në fokusin e merkatos një talent 17-vjeçar

Barcelona,( por jo vetëm katalanasit), ka filluar t’i kushtojë shumë vëmendje të rinjve. Duket sikur klubi ka menduar për një revolucion dhe kërkon të ketë të gatshëm si pjesë të klubit brezin e ardhshëm të lojtarëve të talentuar për të vazhduar dominimin në Spanjë por edhe në Europë.

Ansu Fati është emri më i dëgjuar në klubin blaugran, ndërsa si pjesë e ekipit të parë janë përfshirë edhe Todibo, Araujo dhe Vag. Në vazhdën e këtyre emrave të rinj, Barcelona po provon të afrojë edhe një tjetër djalosh me cilësi të shkëlqyera. Bëhet fjalë për sulmuesin gjerman, Karim Adejemi.

Drejtori i akademisë së katalanasve, Patrik Klajvert është një fans i madh i 17-vjeçarit dhe kërkon me ngulm ta transferojë në Spanjë. Aktualisht, Adejemi është pjesë e klubit të Liefering në Ligën e Dytë të Austrisë. Megjithatë, Adejemi ka arritur të shfaqë vlerat duke marrë vëmendjen e Klajvert. Drejtuesit e Barcelonës janë të gatshëm t’i besojnë nuhatjes së ish-sulmuesit dhe mund të ofrojnë deri në tetë milionë euro për futbollistin e talentuar.

/Egi Çabeli-VipSport.al/