Alegri një hap larg Junajtid, në Mançester transferohet bashkë me dy ‘ish-truprojat’ e tij

Masimiliano Alegri duket një hap larg zyrtarizmit te Mançester Junajtid. Ish-tekniku i Juventusit ka mbetur pa punë prej verës, kur mbylli aventurën me bardhezinjtë. Tashmë, duket se italianin e pret një aventurë emocionuese pasi nëse gjithçka shkon sipas parashikimeve, kjo do të jetë hera e parë që livornezi drejton jashtë Italisë. 52-vjeçari duket se ka gjetur edhe gjuhën e përbashkët sa i përket anës financiare, teksa do të përfitojë 6.5 milionë paund në sezon.

Së bashku me trajnerin Alegri, në ‘Old Trafford’ pritet të zbarkojnë edhe dy të besuarit e tij te Juventusi, Mario Manxukiç dhe Emre Xhan. Alegri kishte një vlerësim të lartë për mesfushorin turk, ndërsa e cilësonte jetik për faktin që mund ta përdorte edhe në mbrojtje, ndërkohë sulmuesi kroat ka qenë një titullar fiks i tij te ‘Zonja e Vjetër’.

Risia tjetër e Alegrit pritet të jetë Patris Evra. Tekniku është i gatshëm t’i ofrojë një rol në stafin e tij, teksa do të ishte një rikthim në një tjetër rol për francezin, pas aventurës së tij si lojtar me ‘Djajtë e Kuq’. Mbetet për t’u parë në momentin e konkretizimit, ndërsa pritet që Solskjaer t’i rrëshqasë këmba edhe për njëherë të fundit, dhe ekipi të kalojë në duart e Alegrit.

/Egi Çabeli-VipSport.al/