Agjenti i Rrahmanit, Aliaj: Më e lehtë me Kumbullën në krah, në verë e kërkonin Sëlltiku dhe Standarti

Amir Rrahmani ka qenë protagonist i një starti fantastik të sezonit. Futbollisti i përfaqësueses së Kosovës është një titullar i padiskutueshëm në formacionin e Veronës, ndërsa në ndeshjen e Dardanëve përballë Malit të Zi, shënoi me kokë golin e parë të sfidës, duke i hapur rrugën suksesit 2-0 të tijve. Ndërkohë, mbrojtësi është nën menaxhimin e ish-futbollistit të Shqipërisë, Adrian Aliaj, i cili në një intervistë për mediat pranë klubit të Veronës, është shprehur se Serie A është kampionati i duhur për Rrahmanin. Ndër të tjera, Aliaj theksoi se në paraqitjet e mira ka ndikuar edhe prezenca e Kumbullës te Verona, të cilin e ka partner në mbrojtje dhe flasin të njëjtën gjuhë.

Goli kundër Malit të Zi? “ Ai është një lojtar i rëndësishëm dhe është kapiteni i Kosovës. Ai gjithnjë kërkon të bëjë mirë me fanellën e vendit të tij. Ka shënuar deri më tani 5 gola me përfaqësuesen dhe është e rëndësishme për një mbrojtës”. Fillimi i sezonit me Veronën? Ai po luan për herë të parë në Itali dhe po bën mirë. Jam shumë i lumtur si agjenti i tij, po ashtu është edhe trajneri e klubi. Ka bërë një përgatitje të fortë nën urdhrat e trajnerit Juriç, por prej ndeshjeve të para ka treguar personalitet dhe që mund të jetë i rrezikshëm në goditjet e lira. E njoh Amirin prej 4-5 viteve dhe jam i sigurt se Serie A është kampionati i duhur për të. Ai është i lumtur të luaj në një kampionat të vështirë, që do ta bëjë të rritet shumë. Ndihet si në shtëpi, shpresojmë të vazhdojë kështu.

Partneriteti me Kumbullën? Ata flasin të njëjtën gjuhë dhe komunikimi mes tyre është i rëndësishëm për të mbyllur çdo hapësirë në mbrojtje. Rrahmani e ka mësuar shpejt italishten, por sigurisht duke luajtur përkrah një shqiptari, çdo gjë ishte më e lehtë. Lidhja me trajnerin Juriç? Amiri e flet kroatishten pasi ka luajtur te Dinamo e Zagreb. Juriç ishte i rëndësishëm edhe për mua si agjent, sepse në verë për lojtarin kishte interesim nga Sëlltiku dhe Standarti i Liezhit, por duke parë Juriç në pankinën e Veronës, së bashku me Rrahmanin vendosëm për Veronën.

/Egi Çabeli-VipSport.al/