Zyrtare/ Merr fund “telenovela” De Gea, portieri firmos kontratën e re

Sezoni i shkuar ishte një sezon për t’u harruar për Mançester Junajtidin duke qenë se mbeti jashtë Ligës së Kampionëve, ndërkohë që edhe portieri David De Gea, u duk se nuk ishte më një garanci për portën. Gafat e tij të njëpasnjëshme, kanë bërë që të marrë shumë kritika por gjërat janë ndryshe këtë sezon.

Ai e ka nisur mirë kampionatin në aspektin personal ndërkohë që sot ka arritur edhe marrëveshjen për kontratën e re. Portieri spanjoll ka firmosur me Junajtidin deri në verën e vitit 2023, ndërkohë që ekziston edhe e drejta për rinovimin edhe për një tjetër vit.

Në këtë mënyrë, ai bëhet ndër futbollistët më të paguar në kampionatin anglez dhe njëkohësisht i mbyll dyert shumë klubeve që interesoheshin për të. De Gea ka humbur edhe vendin e tij titullar te Spanja, vend të cilin tashmë e mban Kepa Arrizabalaga. /Erjon Allaraj-VipSport.al/