Xherard i jep goditjen e fundit Grezdës: Nuk do të luajë më kurrë me Rejnxhërsin, të gjejë skuadër

Situata e Eros Grezdës në Skoci po përkeqësohet çdo ditë e më shumë dhe tashmë, në klub askush nuk duket se e do më. Pas përjashtimit nga skuadra e parë duke qenë se nuk ka bindur stafin, Grezdës iu dha besim nga trajneri i të rinjve, por edhe këtë besim ai e ka thyer duke pështyrë kundërshtarin në një ndeshje me ekipin e të rinjve.

Kjo sjellje, nuk ka aspak hije për një futbollist që u transferua me bujë e aq më tepër, që vesh fanellën e një klubi me histori siç është Rejnxhërsi. Trajneri Stiven Xherard ka mësuar gjithçka dhe tani duket se e ardhmja e Grezdës është e pamundur që të jetë në “Ibrox”. Legjenda e Liverpulit ka bërë me dije se Grezda nuk do të luajë më asnjëherë me fanellën e Rejnxhërs pasi sjellje të tilla, nuk mund të tolerohen.

“Grezdës i është thënë ballë për ballë gjithçka për situatën ku ndodhet. I kemi këshilluar që të provojë një aventurë të re për veten e tij dhe të ketë mundësi për të luajtur dhe këtë, ai e di mirë. Jemi munduar të jemi të respektueshëm duke i dhënë minuta me skuadrat e të rinjve, në mënyrë që të jetë në formë pasi në botë ka shumë vende ku merkatoja është ende e hapur.

Megjithatë, me këto sjellje ti nuk e përfaqëson më klubin në asnjë nivel. Duke u sjellë kështu, nuk mund të kesh më fanellën e Rejnxhërsit dhe për këtë do të merren masa disiplinore. Do të ulem me të ballë për ballë dhe të marr versionin e tij për këtë histori. Kam dëgjuar një version dhe e dimë se çfarë ka ndodhur atë ndeshje. Është diçka që nuk më bën të lumtur. Nëse ai është realisht fajtor, për të nuk do të ketë më vend në fushë”, u shpreh Xherard. /Erjon Allaraj-VipSport.al/