VIDEO/ Talenti shkodran shkëlqen në Youth League, i jep fitoren Dinamo Zagrebit

Shkodra ka prodhuar dhe vazhdon të prodhojë talente nga dita në ditë dhe një prej tyre është edhe i riu Arif Amuli i cili ka spikatur me ekipet e moshave te Vllaznia. Amuli u transferua në kampionatin kroat dhe tashmë aktivizohet me skuadrën e të rinjve të Dinamo Zagrebit, ku natyrisht synim ka skuadrën e parë dhe pse jo më lart.

Në debutimin në UEFA Youth League, Amuli ka arritur të jetë vendimtar duke shënuar një gol mjaft të bukur në fitoren që skuadra e tij mori përballë italianëve të Atalantës. Amuli mori një pasim në hyrje të zonës dhe pas një driblimi të bukur, ka gjetur cepin e portës duke shënuar golin e fitores.

Dinamo Zagreb mori pikët e para në grupin e saj, ku kundërshtarë të tjerë ka edhe Mançester Sitin dhe Shakhtar Donjeskun. Ndeshjen e radhës, Dinamo e luan në transfertë përballë Mançester Sitit. /Erjon Allaraj-VipSport.al/