VIDEO/ Shaland i nervozuar në fundin e pjesës së parë, por nuk harron të buzëqeshë para kamerave

Trajneri i Kosovës, Bernard Shaland, nuk ishte njeriu më i lumtur mbrëmë në fundin e pjesës së parë mes Anglisë dhe Kosovës. Dardanët pavarësisht një starti fantastik, duke kaluar në avantazh pa u mbushur ende një minutë lojë, pësuan në vazhdim plot pesë gola. Dy prej të cilëve erdhën brenda një minute, përkatësisht në të 45-tën dhe në minutën e parë shtesë.

Diçka që nervozi jashtë mase teknikun zviceran, i cili gjatë hyrjes për në dhomat e zhveshjes u pa nga kamerat duke ulëritur për episodet që ndodhën në fushë. Megjithatë, në momentin kur Shaland vuri re praninë e kameras, atëherë u zbut dhe nuk nguroi t’i dhuronte një buzëqeshje. Një veprim i cili është bërë viral, ndërsa qarkullon kudo në rrjetet sociale.

Shaland konfirmohet një karakter i veçantë, teksa edhe para pak ditëve u kthye në personazh pas toneve të larta në konferencën e shtypit ku i kërkonte futbollistëve të tij të tregoheshin të çmendur në fushë. /Egi Çabeli-VipSport.al/