VIDEO /Rekordi i radhës pas 4 golave nga Ronaldo, por CR7 vihet në ndjekje të objektivit të radhës

Kristiano Ronaldo nuk i njeh limitet. Portugezi është i ndërtuar për të thyer rekorde, në mënyrë që emri i tij të gjendet gjithnjë në majë. Nuk ka rëndësi mosha, apo kundërshtari që ka përballë. Synimi i vetëm i sulmuesit të Juventusit është të shënojë, dhe këtë di ta bëjë më së miri. Në çfarëdo lloj mënyre, mjafton që sfera të kalojë vijën fatale. Edhe në mbrëmjen e djeshme për kualifikueset e Euro 2020, CR7 shkëlqeu teksa shënoi katër gola përballë Lituanisë, në fitoren e të tijve me rezultatin 5-1.

Por, katër gola nuk mund të kalonin kaq kollaj. Falë tyre, Kristiano Ronaldo tashmë është golashënuesi më i mirë në historinë e kualifikueseve për europian. Luzitani para Lituanisë ishte në kuotën e 21 golave, ndërsa tashmë është ngjitur në shifrën e 25 golave duke lënë pas në këtë klasifikim një sulmues si Robi Kin, i cili kishte realizuar 23 gola.

Sakaq, tashmë Ronaldo ka mbërritur në kuotën e 93 realizimeve me Kombëtaren dhe është vënë në ndjekje të një tjetër rekordi, i cili në fakt dukej i pamundur për t’u thyer. Bëhet fjalë për rekordin e sulmuesit iranian, Ali Daei, i cili ka luajtur edhe me Bajernin e Mynihut. Ky futbollist ka shënuar 109 gola në 149 takime për Kombëtaren e tij. Është lojtari që ka shënuar më shumë me Kombëtaren. CR7 i është vënë pas këtij rekordi edhe pse nuk është e lehtë, megjithatë nëse vazhdon në këtë ritëm, asgjë nuk është e pamundur për 34-vjeçarin. /Egi Çabeli-VipSport.al/