VIDEO/ Në Kukës vazhdojnë punimet e stadiumit, tifozët hedhin idenë: Le ta quajmë “Gramoz Palushi”

Kukësi duket se po kalon sezonin e fundit që do të luajë jashtë, duke qenë se punimet për stadiumin e ri vazhdojnë me intensitet të lartë. Makineritë e rënda kanë “pushtuar” stadiumin dhe kanë nisur nga puna për hedhjen e themeleve të stadiumit të ri, që pritet të plotësojë edhe kushtet e kërkuar nga UEFA për të zhvilluar ndeshjet e Europës.

Sakaq, në Kukës kanë hedhur edhe idenë që stadiumi i ri të mos quhet më “Zeqir Ymeri”, por kanë një ide të re në lidhje me emrin e stadiumit. Një nga faqet më të mëdha në “Facebook”, që shërben për promovimin e vlerave të qytetit verilindor, “Prodhuar në Kukës”, ka hedhur hipotezën që stadiumi i ri të quhet “Gramoz Palushi” në respekt të heroit që ndërroi jetë në 4 shtatorin e vitit 2004.

Tifozi kuqezi po festonte fitoren që Shqipëria kishte arritur të merrte ndaj Greqisë, kur tifozët grekë lanë të vdekur Palushin. Komentet në “Facebook” kanë qenë të shumta dhe kanë miratuar idenë për ta quajtur “Gramoz Palushi”. Tashmë, i mbetet presidencës dhe Bashkisë së Kukësit në dorë për të emëruar stadiumin e ri. /Erjon Allaraj-VipSport.al/