VIDEO / Lojtarë në lot, trajneri gjuan me shishe dhe thyen tavolinën. Kaos te Izraeli pas humbjes

Endi Hercog, trajneri i Izraelit, nuk e ka përmbajtur dot veten pas humbjes kundër Sllovenisë. Skuadra e tij po bënte gjithçka mirë në pjesën e dytë dhe ishte në avantazh ndaj vendasve, por mbylli sfidën me disfatën 3-2 pasi pësoi gol në shtesë.

Hercog, ish-futbollisti i njohur i Verder Bremen e Bajern Mynih, nuk ka përmbajtur dot nervat sapo ka hyrë në dhomat e zhveshjeve. Mediat izraelite kanë mësuar se ai ka filluar të gjuajë me shishe nga nervat brenda në dhomë, ndërsa ka thyer edhe një tavolinë gjatë momenteve të tërbimit.

“Jeni naivë! Nuk do të arrini kurrë asgjë!” mësohet t’u ketë ulëritur ai lojtarëve të tij, duke bërë që edhe emra me eksperiencë si Naço e Kajal të shpërthejnë në lot. Një situatë që ka vazhduar disa minuta e që dukshëm dukej edhe në fytyrën e trajnerit në intervistën pas ndeshjes ku i nervozuar ai bënte me gjeste duke deklaruar se tashmë nuk ishte më argëtuese të humbje në atë mënyrë.

Federata Izraelite ndërkohë duket se vazhdon t’i besojë Hercog, pavarësisht incidentit, ndërsa ishte munduar që të mbulonte gjithçka. Drejtori teknik kishte kërcënuar lojtarët. “Nëse kjo bëhet publike, nuk do të jetë e mirë për ju”. Por mediat izraelite kanë mësuar gjithçka duke bërë që të shpërthejë përsëri skandali në një përfaqësuese e cila më kot mundohet prej vitesh të sigurojë pjesëmarrjen në fazën finale të një turneu madhor. /vipsport.al/