VIDEO/ Kukësi ndalet në Shkodër me dy supergola, Laçi i merr pikën e parë

Kukësi është ndalur në javën e tretë të Kategorisë Superiore, aty ku ndaj Laçit ka barazuar me rezultatin 1-1 në “Loro Boriçi”. Verilindorët kanë arritur të dominojnë takimin dhe të jenë më kërkues të golit, megjithatë e kanë pasur të vështirë të gjejnë hapësira ën mbrojtjen kurbinase.

Këta të fundit e kanë përqendruar lojën e tyre te kundërsulmet dhe ka qenë Nuabueze që ka shënuar një supergol. Kur dukej se takimi po shkonte drejt fundit, Musta ka shënuar golin e barazimit me një goditje nga distanca, gol ky që ka mjaftuar për t’i dhënë Kukësit një pikë. Skuadra do të kenë disa ditë pushim për shkak të kombëtares ndërkohë që pas pushimeve, Kukësi luan ndaj Bylisit në transfertë ndërsa Laçi pret Partizanin. /Erjon Allaraj-VipSport.al/

Kukësi-Laçi 1-1
Shënues: 87’Musta/ 52’Nuabueze

Formacionet:

Kukësi: Avdyli, Maliqi (46’Abazaj), Obanor, Teqja, Kitanovski, Rroca, Limaj(79’Kotobelli), Et’hemi, Musta, Shkurtaj, Gavazaj (68’Daku)
Trajner. Shpëtim Duro

Laçi: Stazhilla, Fangaj, Gjoni, Injatoviç, Domgjoni, Turkaj, Shehu, Lushkja, Xhixha (79’Berisha), Deliu (93’Gjini), Nuabueze
Trajner. Sulejman Starova

KV: 73’Daku/ 55’Lushkja, 66’Xhixha, 84’Turkaj

Gjyqtarët: Klodian Shahini, Ilir Tartari, Renato Malaj, Emirjon Sino

Minutë pas minute: 

Mbyllet takimi, Kukësi-Laçi 1-1!

90+4′ Ndërrim te Laçi me Deliun që largohet dhe hyn Gjini.

92+3’ Tjetër krosim i lartë në zonë aty ku gjuan Musta me kokë, por e çon jashtë ndërkohë që pas tij ndodhej Shkurtaj.

90’ Akordohen edhe 5 minuta shtesë.

89’ Kukësi provon të përmbysë takimin dhe vjen krosimi në zonë për Et’hemin por krosimi është pak më i fortë seç duhet.

87’ GOOOL Kukësi! Ka realizuar Musta një supergol me goditje nga distanca.

84’ Goditje dënimi në favor të Kukësit shumë pranë zonës, ndërkohë që Turkaj ndëshkohet me karton të verdhë. Rroca provon të gjejë portën, por gabon dhe topi ndalet në mur.

83’ Et’hemi në zonë mundohet të krijojë hapësira po e ka të pamundur dhe bllokohet krosimi i tij.

80′ Zëvendësimi edhe te Kukësi, me Limajn që largohet dhe vendin e tij e zë Kotobelli.

79’ Zëvendësim te Laçi me Xhixhën që largohet dhe vendin e tij e zë Berisha.

74’ Goditje dënimi për Laçin dhe e merr përsipër Shehu i cili kroson në zonë, por topi kalon pasqyrën e portës dhe shkon në rivënie anësore.

73’ Tjetër aksion i Kukësit nga krahët por tashmë luhet në të majtë me Mustën i cili provon një krosim në zonë, megjithatë del portieri Stazhilla dhe ndal.

71’ Top i gjatë në zonë për Dakun i cili e ul mirë dhe i drejtohet portës, por goditja e tij është e gabuar dhe përfundon jashtë.

69′ Tjetër ndërrim te Kukësi me Gavazajn jashtë dhe vendin e tij e zë Daku.

66’ Gavazaj në drejtim të zonës provon një goditje, por i ndërhyn Shehu dhe merr faull.

63’ Et’hemi nxjerr të vetëm Mustën përballë portierit por ndal mirë Stazhilla dhe e largon në goditje këndi.

59’ Tjetër mundësi e mirë për Laçin me anë të Xhixhës, i cili gjendet në zonë i vetëm dhe provon goditjen por topi shkon në rrjetë të jashtme.

56’ Ndërhyrje e gabuar e Lushkjes ndaj Et’hemit dhe ndëshkohet me karton të verdhë.

54’ Mundësi e artë për Kukësin tashmë me anë të Shkurtajt i cili vetëm pak metra larg portës ka gabuar duke e çuar topin jashtë.

52′ GOOOL Laçi! Ka realizaur Nuabueze një supergol nga distanca, duke i dhënë avantazhin skuadrës së tij. 

46’ Nis pjesa e dytë mes Kukësit dhe Laçit dhe Kristal Abazajn që hyn në fushë, ndërkohë që jashtë është Maliqi.

45+2’ Mbyllet pjesa e parë e takimit me rezultatin 0-0.

45+1’ Rroca provon një top të gjatë në zonë për Shkurtajn, por del Stazhilla dhe largon rrezikun.

45’ Akordohen edhe 2 minuta shtesë deri në përfundim të pjesës së parë.

41’ Gafë në mesfushë e futbollistëve të Kukësit i kanë dhënë mundësi Nuabuezes të niset në kundërsulm që nis topin për Xhixhën, por pozicioni i tij është i gabuar.

40’ Mundësi e mirë për Kukësin me anë të Mustës i cili depërton mirë në qendër dhe hap topin nga e majta për Shkurtajn por ky i fundit gabon.

38’ Obanor tenton një goditje nga distanca, por është plotësisht e gabuar dhe përfundon shumë larg kuadratit.

36’ Minuta të qeta tashmë në Shkodër me dy skuadrat që po qarkullojnë topin por janë të kushtëzuara jo pak nga temperaturat e larta.

31’ Kukësi mundohet të sulmojë nga e djathta me anë të Et’hemit i cili kroson në zonë por largohet topi.

29’ Probleme për Teqjen që detyrohet të largohet për të marrë ndihmën e parë por rikthehet sërish në fushë.

23’ Skuadrat i drejtohen pankinave për t’u freskuar duke qenë se ndeshja luhet në temperatura të larta në Shkodër.

19′ Rroca rrëzohet në zonë dhe pretendon për penallti, por gjyqtari vazhdon lojën.

16’ Lushkja luan mirë me topin në zonë dhe kërkon të gjejë hapësirë, megjithatë gabon në goditje duke e çuar topin jashtë.

12’ Ndërhyrje e gabuar e Gjonit ndaj Valon Et’hemit dhe kemi të bëjmë me goditje dënimi për Kukësin shumë pranë zonës. Kroson Gavazaj por del Stazhilla dhe grushton duke larguar rrezikun nga porta e kurbinasve.

11’ Janë kurbinasit tashmë që rrezikojnë seriozisht portën e Kukësit me anë të Nuabuezes i cili pas një krosimi në zonë gjendet i vetëm para portës por goditja e tij shkon jashtë.

7’ Mundësi e mirë për Kukësin me anë të Shkurtajt i cili pas kombinimeve me Et’hemin arrin të hyjë në zonë, por largohet topi megjithëse aksioni vazhdon me Maliqin që kroson por sërish largojnë kurbinasit.

5’ Laçi mbetet në sulm dhe është Deliu tashmë që mundohet të filtrojë një top në mbrojtje, por del Avdyli.

3’ Kurbinasit e nisin mirë takimin dhe mundohen të sulmojnë nga e majta me Xhixhën, por ky ndalet me faull.

1’ Nis takimi në “Loro Boriçi” të boshatisur!