VIDEO / Gol si Maikon, talenti Doda shkëlqen në ringjalljen e Palermos së falimentuar

Dy shqiptarë janë kthyer në protagonistët kryesorë të këtij sezoni në Serinë D me fanellën e Palermos. Erdis Kraja dhe Masimiliano Doda po luajnë e shkëlqejnë me skuadrën e njohur italiane e cila është detyruar ta nisë gjithçka nga e para pasi falimentoi, pak muaj pasi ishte në garë për të shkuar në Serinë A.

Një projekt që u është besuar të rinjve dhe dy adoleshentët shqiptarë po e shfrytëzojnë më së miri këtë mundësi që u është dhënë duke luajtur rregullisht e shënuar në rrugëtimin që sheh sicilianët të kenë deri tani 3 fitore në po aq ndeshje të luajtura në kampionat. Kraja ishte ai që shënoi ndaj San Tomaso në javën e dytë të kampionatit në fitoren 3-2. Të dielën, ndaj Roçela, e kishte radhën Doda të dërgonte topin në rrjetë në suksesin 2-0 të skuadrës së tij.

Nuk ishte një gol dosido, pasi në mediat italiane është komentuar se ishte një aksion i ngjashëm me atë të famshëm të Maikon në Botërorin 2010. Mbrojtësi pa lëvizjen e portierit kundërshtar dhe me një gjuajtje të zgjuar, mes dy kundërshtarësh, dërgoi sferën në rrjetë nga një pozicion në dukje i pamundur.

Sigurisht, nuk mund të mungonin vlerësimet për të. “Mediagol”, portali i cili është pjesë e grupit editorial të “La Gazzetta Dello Sport”, e ka vlerësuar me notën 7 mbrojtësin shqiptar i cili ka qenë pjesë e përfaqësueseve U17 dhe U19 të Shqipërisë e prej kohësh pret ftesën edhe nga U21. “Një lojtar me cilësinë e shqiptarit në këtë rol nuk shihej prej kohësh në skuadër”, shkruan portali italian për mbrojtësin e djathtë. /vipsport.al/