VIDEO / Gol i Imerit, i kuq i Micit dhe “predhë“ e Ibraimit. Por Shkëndija barazon me Vardarin

Kupa e Maqedonisë ka vënë përballë që në turet e para Shkëndijën e Tetovës me atë që ka qenë rivali i madh i saj në sezonet e fundit, Vardarin. Sot është luajtur ndeshja e parë në Shkup, e mbyllur me një barazim 2-2, por që duket më shumë si një fitore për ekipin vendas pasi tetovarët shpërdoruan një avantazh të dyfishtë të siguruar në pjesën e parë.

Omar Imeri, mesfushori i Shpresave të Shqipërisë shënoi në pjesën e parë, e më pas Shkëndija mbeti me 10 lojtarë pas një kartoni të kuq të Micit. Në mbyllje të këtij fraksioni loje, Besart Ibraimi shënoi me një “predhë” brenda zonës duke çuar rezultatin në 2-0. Por 20 minuta e fundit të sfidës ishin fatale për Shkëndijën, e cila pa fillimisht Kolevskin të shkurtonte diferencën e më pas Zhuninjon të barazonte gjithçka në 2-2, rezultat me të cilin u mbyll ndeshja e parë.

Sa u përket takimeve të tjera, Struga Trim & Lum barazoi 0-0 ndaj Borec, rezultat i njëjtë me atë të cilin mbyllën duelin Shkupi me Sileksin. /vipsport.al/