VIDEO / Gafa e Strakoshës, “Eurosport” e masakron: Doli shpesh për flutura

Dita e sotme nuk ka qenë ndër ato pozitive për Thomas Strakoshën, i kryqëzuar mes fajtorëve për humbjen e rëndë 2-1 të skuadrës së Lacios në Ligën e Europës. Portieri i përfaqësueses shqiptare nuk u tregua aq i sigurt dhe një gafë e tij i kushtoi shumë shtrenjtë skuadrës pasi solli golin e dytë të Kluzh.

Në minutën e 75-të të sfidës, pas një mosmarrëveshje me Bastos, Strakosha pa topin teksa shkonte në rrjetë duke mos ndërhyrë ndaj futbollistëve kundërshtare pasi kishte braktisur pozicionin. Një gol që rezultoi vendimtar për fatin e sfidës duke sjell kritika të shumta ndaj tij.

“Eurosport”, në vlerësimin për portierin pas sfidës, nuk kurseu notën negative, duke i vendosur 5. “Dukej sikur do të jetonte një natë të qetë, por nuk ishte kështu. Edhe ai bën të tijën me më shumë se një dalje për flutura, mes të cilave edhe atë që solli golin vendimtar”, shkruan portali i rrjetit të njohur sportiv. /vipsport.al/