VIDEO / “Dardanët” nuk ia dalin ndaj Anglisë, i ndëshkon dy herë talenti i Mançester Sitit

Kosova U21 ka mbetur në garë deri në minutat e fundit përballë bashkëmoshatarëve të Anglisë por në fund është dashur të dorëzohet përballë talentit të Fil Foden në ndeshjen mes këtyre dy përfaqësueseve në eliminatoret e Europianit.

Skuadra e Prekazit shkonte në Angli e ndërgjegjshme se do të vuante në mbrojtje dhe ashtu ndodhi, pasi britanikët kërkuan me ngulm golin që në minuat e para të duelit, derisa e gjetën atë me Foden në minutën e 25-të të sfidës.

Kosova priti më e tërhequr, duke synuar disa herë që të bënte kundërsulme të rrezikshme dhe në fundin e pjesës së parë, iu afrua ndjeshëm golit kur pas një kundërsulmi, futbollisti i Skënderbeut, Arbnor Muja i futur si zëvendësues pas dëmtimit të Memës, goditi traversën kur ishte vetëm pak hapa larg portës së boshatisur.

Skuadra kosovare u tërhoq përsëri në mbrojtje në pjesën e dytë, duke lënë vendasit që të shpenzonin energji e synuar që në fund me kundërsulmet e tyre të tentonin mrekullinë. Megjithatë, mrekullinë më parë u detyrua ta bënte Smakiqi i cili bëri disa pritje vendimtare për të mbajtur ekipin në lojë.

Në minutat e fundit, Kosova kërkoi me ngulm golin me disa zbritje të shpejta, por ata që shënuan ishin përsëri vendasit me Foden, pasi talenti i Mançester Sitit shfrytëzoi një rreshtim të gabuar në zonë për të çuar rezultatin në 2-0 e mbyllur ndeshjen.

Angli U21-Kosovë U21 2-0
26′, 90’+3′ Foden

Anglia U21: Ramsdejl, Arons (80′ Xhastin), Sesenjo, Guehi, Çalobah, Godfri, Devis, Gibs-Uajt (61′ Grinud), Foden, Nelson (61′ Kantuell), Nketiah (76′ Bruster).
Trajner: A. Bothrojd

Kosova U21: Smakiqi, Kolgeci, Xhemajli, Kastrati, Mema (35′ Muja), Hajrizi, Zekaj, Gashi (64′ Baftiu), Abedini, Kastrati, Daku (46′ Mustafa).
Trajner: R. Prekazi

KV: Godfrei / Xhemajli, Mustafa