VIDEO / Aksioni model i golit i shqiptarëve nuk mjaftoi, Malaga ndalet ne barazim

Keidii Bare dhe Armando Sadiku kanë dhuruar një tjetër ndeshje shumë të mirë me skuadrën e Malagas, por përsëri kanë dalë me vetëm një pikë nga fusha e lojës përballë Rajo Vajekanos, në një ndeshje që duhej ta kishin fituar.

Të dy futbollistët ishin titullarë në këtë duel dhe ndihmuan ekipin që të kalonte në avantazh me një aksion goli model që kaloi nga këmbët e tyre. Që në minutën e 7, Bare fitoi topin në mesfushë nga e majta dhe e nisi përpara, me sferën që mbërriti te Sadiku. Ai kuptoi lëvizjen e mesfushorëve dhe e nisi topin te Adrian i cili më pas e dërgoi në shtyllën e dytë për Cifuentes i cili e shtyu në rrjetën e boshatisur, një aksion model për një gol që u mendua se do t’i hapte rrugë goleadës së Malagas.

Por nuk ndodhi ashtu, edhe pse skuadra krijoi raste e vetë Sadiku shpërdori dy mundësi para portës. Rajo barazoi në pjesën e dytë dhe ia bëri çdo gjë të vështirë më pas skuadrës vendase. Sadiku, një nga më të mirët në fushë, u zëvendësua në minutën e 83-të i lodhur pasi nuk kishte ndalur së vrapuari, ndërsa mori edhe një karton të verdhë për një ndërhyje të ashpër në sulm, kurse Bare luajti deri në fund në takimin që mbyll 1-1.

Ai që i është gëzuar fitores së parë si titullar ishte Ivan Balliu, i cili me Almerian triumfoi 3-1 përballë Zhirona dhe tani sheh skuadrën e tij të kryesojë renditjen e La Liga 2 me 16 pikë, kurse Malaga mbetet shumë larg me vetëm 6 të tilla. /vipsport.al/