Uanda trazon sërish ujërat: Napoli i ka paratë për Ikardin, në janar mund të ketë surpriza

Uanda Nara nuk ka ndërmend të heqë dorë nga deklaratat e bujshme. Gruaja dhe njëkohësisht agjentja e Mauro Ikardit, në studion e emisionit ‘Tiki Taka’ ku është e ftuar e përjavshme është shprehur se pavarësisht se sulmuesi sapo u transferua te PSG, Napoli i ka ruajtur paratë për Ikardin dhe në janar mund të ketë surpriza.

“ Napoli i ka ruajtur paratë që duhej të shpenzonte për Ikardin, janë akoma në kasafortë. Ndoshta në janar mund të ketë surpriza”, tha Uanda duke surprizuar të pranishmit. Kujtojmë se e ardhmja e Ikardit gjatë merkatos verore u kthye në telonovelë, ndërsa argjentinasi nuk kërkonte të largohej nga Italia dhe preferonte Juventusin.

Megjithatë, zikaltërit nuk e pranuan si opsion. Sakaq, edhe Napoli ishte në garë për Ikardin, por në fund sulmuesi arriti marrëveshjen për t’u transferuar në Francë me formulën e huazimit. Tashmë, deklaratat e Uandës mund të hapin rrugë për interpretime të reja.