Trajneri i Islandës për duelin ku u shkarkua Panuçi: Të pafat! Nesër do jetë sfidë mes dy ekipesh të barabarta

Erik Hamren, trajneri i përfaqësueses së Islandës, beson se ndeshja në “Elbasan Arena” ndaj Shqipërisë do të shohë përballë dy skuadra të barabarta dhe pret që gjëra të vogla të bëjnë diferencën në duel. Suedezi i cili drejton Islandën që prej verës së vitit 2018, mendon se Shqipëria është një kundërshtar i fortë dhe në fakt ka çuditur disi kur ka kujtuar ndeshjen e parë të kuqezinjve në këto eliminatore ndaj Turqisë, atë pas të cilës u shkarkua Panuçi.

“Sigurisht kjo ndeshje është shumë e rëndësishme. Objektivi ynë është të arrijmë finalen e Euro 2020 dhe duhet të marrim rezultate të favorshme. Megjithatë, para fundit të ndeshjes nuk e di asnjëherë nëse je i kënaqur apo jo me një pikë. Ne presim tre pikë, por kemi shumë respekt për ekipin shqiptar dhe e dimë që na duhet një ndeshje shumë e mirë që të fitojmë”, ishin fjalët e Hamren në konferencë për shtyp.

“Nuk dua të flas shumë për Shqipërinë, fokusohem te ekipi im. Shqiptarët kanë qenë të fortë dhe janë të fortë edhe tani. Unë ndjej se nuk kishin fat kur humbën ndeshjen e parë në shtëpi kundër Turqisë. Mendoj se ishin ekipi më i mirë në fushë në ndeshje edhe pse humbën. Tani ata kanë ndryshuar organizimin e lojës dhe kanë një ekip shumë të fortë.

Sigurisht që do të bëjnë çdo përpjekje të fitojnë, janë në fushën e tyre, luajnë për kombin e tyre dhe pres një ndeshje shumë të vështirë mes dy skuadrave të barabarta, ashtu siç ishte në Reikjavik në verë”, deklaroi ai. /vipsport.al/