Trajneri grek i Luftëtarit: Këtu e nisa me 3 DVD, shumë trajnerë do donin të ishin në vendin tim

Jorgos Marantas, prej një javë ka filluar punën si trajneri i ri i skuadrës së Luftëtarit. 46-vjeçari grek, i cili ka eksperiencë në drejtim në kategoritë e ulëta të futbollit në vendlindje, ka pasur mundësinë që gjatë pauzës së kombëtareve të njihet më mirë me lojtarët që do të ketë në dispozicion, duke pranuar se në fillim kishte marrë informacione vetëm nga DVD-të që i kishin vënë në dispozicion.

“Me shërbeu miqësorja për të njohur lojtarët, në fillim kam parë 3 DVD po nuk luanin shumë lojtarë. Ndaj në këtë miqësore që zhvilluam këto ditë i kam aktivizuar të gjithë për të parë skuadrën dhe mendoj se ishte e mirë”, theksoi ai.

“Luftëtari është skuadër e madhe, shumë trajnerë do të donin të ishin në vendin tim, drejtimi i saj është sfidë. Mund të jetë pak e vështirë tani por do të punojmë që të bëjmë më mirë. Pas miqësores e di se çfarë di të bëjë secili prej tyre”, u shpreh me optimizëm trajneri i cili ka krijuar që tani një këndvështrim të tijin rreth cilësisë së futbollit shqiptar.

“Për futbollin shqiptar kam pak njohuri, por e kam parë në TV. Tani shoh vazhdimisht ndeshje, bëjnë lojë shumë të shpejtë, në Greqi nuk është futboll kaq i shpejtë. Ne nuk jemi një prej ekipeve të elitës që bëjnë futboll shumë të fortë, por do të bëjmë futboll të kënaqshëm që të arrijmë objektivat”, deklaroi ai. /vipsport.al/