Telashe në ndeshjen e Kosovës U21, një futbollist i Superiores lë fushën me barelë

Dëmtimi i Esat Malës në ndeshjen me përfaqësuesen U21 sot, nuk ishte shqetësimi i vetëm për klubet e Superiores, të cilat përgatiten për një muaj të ngjeshur me aktivitete. Një tjetër futbollist i Superiores është dëmtuar sot në ndeshjen me ekipin përfaqësues dhe me sa duket bëhet fjalë për një dëmtim afatgjatë.

Mbrojtësi i djathtë Lirim Mema, i cili u bë pak javë më parë pjesë e Flamurtarit dhe shihej si një nga goditjet më të mira të skuadrës vlonjate, sot luante titullar në ndeshjen e U21 të Kosovës ndaj Anglisë. Në minutën e 30 të sfidës, pas një përplasje në mesfushë, ai është shtrirë në tokë, duke bërë shenjë menjëherë se kishte dëmtim të rëndë.

Ai i tregoi mjekut gjurin e djathtë dhe ky i fundit bëri shenjë nga stafi teknik se Mema nuk mund të vazhdonte më. Lojtari u shfaq i përlotur ndërsa largohej me barelë nga fusha e lojës, për një dëmtim i cili mund ta lërë për shumë kohë larg fushave të lojës. Një lajm i keq për Flamurtarin i cili shpresonte që pak nga pak të ndërtonte një skuadër që të luftonte për t’iu larguar fundit të tabelës.  /vipsport.al/