Tare: E dija që më paragjykonin, por kisha model Gjermaninë. Dua të shkoj në Champions

Nga një person i vënë në diskutim çdo javë, në një nga emrat më të vlerësuar në Itali që së fundmi kishte edhe luksin që t’i thoshte “Jo “ Milanit. Ky është Igli Tare, drejtori sportiv i Lacios i cili në 10 vite në këtë profesion ka bindur të gjithë se është një “mjeshtër i vërtetë” me lëvizjet e tij gjeniale.

“E kam ditur gjithmonë që kishte paragjykim ndaj meje. Zgjedhja për të më emëruar drejtor sportiv lindi në një moment shumë delikat. Dukej gjithçka pa kuptim, por Lotito kishte parashikuar gjërat si duhet. Si ia arrita të kthej opinionin? Kam thënë që koha do ta tregojë. Kam luajtur 8 vite në Gjermani, ku gjithçka që po mundohen të bëjnë tani në Itali, ata e kanë prej 25 vitesh, ndaj kisha një pikë referimi”, tregoi ndër të tjera Tare në intervistën e tij për “Corriere Dello Sport”.

Drejtuesi shqiptar ka treguar se tani ka një objektiv të qartë në mendje, Ligën e Kampioneve. “Në 10 vitet e fundit jemi rritur shumë. Duhet llogaritur që në këto 10 vite, 4-5 herë i kemi shkuar shumë afër Ligës së Kampioneve. Unë i pari e kam me ngut për ta arritur atë. Do të thoshte shumë për klubin, për skuadrën, për atë që duam të jemi. Mendoj se jemi në rrugën e duhur”, tha Tare. /vipsport.al/