Talenti i Shpresave, Kolaj: Kam lindur në Itali, por është nder të luaj për kombin tim

Një nga futbollistët më të talentuar në Kombëtaren e Shpresave, është Aristidi Kolaj i cili sezonin e fundit ishte pjesë e Sasuolos ku u aktivizua me të rinjtë, ndërkohë që fazën përgatitore e zhvilloi me skuadrën e parë duke gjetur disa herë edhe rrugën e rrjetës. Së fundmi, ai ishte edhe me Kombëtaren kuqezi në dy humbjet që 21-vjeçarët pësuan ndaj Francës dhe Austrisë.

I lindur në Itali, Kolaj duket se ndihet krenar që luan për ngjyrat kuqezi dhe diçka të tillë e ka pranuar në një intervistë të dhënë për “La Prealpina”. Aktualisht, Kolaj luan me Pro Patrian në Serinë C dhe vetë futbollisti, pranon se trajneri De Zerbi e ka këshilluar të transferohet.

“Fillimet? Pasi e nisa me Valçeresion, lëviza te Varese dhe qëndrova 5 vjet që ishin shumë të rëndësishme për mua. Më pas, shkova te Komo dhe pastaj te Sasuolo ku qëndrova 2 vite dhe mësova e u rrita shumë si futbollist dhe si njeri.

Pro Patria? Trajneri De Zerbi ka lidhje të ngushtë me Javorçiç dhe më tha se do të isha mirë pasi është një trajner shumë i mirë. Jam i lumtur që kam ardhur te ky klub dhe pres të bëjë hapa të mëdhenj para. Më pëlqen që të luaj si sulmues i dytë dhe të mbuloj sulmuesin e parë e të krijojmë superioritet, por mund të luaj edhe nga krahët.

Shqipëria U21? Ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme sepse më lejon të luaj me futbollistë që luajnë në ligat më të mira. Gjithmonë është nder të luash me Kombin tënd. Unë ndihem shqiptar sepse prindërit e mi janë nga Shqipëria. Sigurisht që kam lindur në Itali dhe lidhja me Italinë është e fortë”, u shpreh mes të tjerash Kolaj. /Erjon Allaraj-VipSport.al/