Sulmuesi i Holandës sulmon heronjtë e 2010: Lojtarë egoistë, na mohuan fitoren e Kupën e Botës

Në Botërorin e Afrikës së Jugut në vitin 2010, Holanda po bënte një sezon fantastik dhe vetëm në minutat e fundit të finales, u mund nga Spanja me rezultatin 1-0 falë një goli të shënuar nga Iniesta. Por, ajo finale mund të kishte edhe një përfundim tjetër nëse Roben, Van Persi, Shnajder dhe Van Der Vart do të ishin më të kujdesshëm dhe ky pretendim ngrihet nga sulmuesi aktual, Rajan Babel.

Në një intervistë të dhënë për “Voetbal International”, ai u shpreh se kjo katërshe kishte ego të madhe dhe donin më shumë që të kishin merita personale, sesa skuadra të fitonte Botërorin. Babel shtoi se Holanda e sotme, nuk ka egoizëm dhe të gjithë futbollistët luajnë për fanellën dhe kombin.

“Kisha një luftë me “Katërshen e Madhe”. Të gjithë donin të bëheshin numri një në Kombëtare dhe e shihnin veten e tyre para skuadrës. Nuk mendoj se sot kemi egoizëm në skuadër dhe të gjithë duam të ndihmojmë skuadrën me gola dhe pasime e nuk është askush që do të qëndrojë mbi skuadër.

Mbaj mend që në finale kur Roben doli përballë Kasijasit, ky i fundit i ndërhyri por Roben nuk u rrëzua sepse donte të shënonte. Nëse rrëzohej, do të luanim për më shumë minuta me një futbollist më shumë. Unë mendoj se Roben nuk po mendonte për skuadrën e tij por për të shënuar një gol vetë. Këto gjëra dhe ky egoizëm, nuk lejuan të fitonim Botërorin”, tha Babel. /Erjon Allaraj-VipSport.al/