Statistikat e tmerrshme të Shpresave në drejtimin e Bushit, të vetmen fitore ia ka borxh Durmishajt

Ndeshja e sotme e humbur nga Shpresat me rezultatin 4-0 përballë Austrisë në “Niko Dovana” ishte e 14-a nën drejtimin e Alban Bushit, ecuria e të cilit në stolin kuqezi ka qenë e tmerrshme, pasi rezultatet mungojnë plotësisht. Duke punuar pa një plan por vetëm me justifikimin e zakonshëm se objektiv është kalimi i të rinjve në Kombëtaren A, është anashkaluar plotësisht aspekti sportiv i kësaj përfaqësueseje duke e trajtuar si kamp stërvitor nga i cili talentet dalin duke mësuar vetëm si humbet.

Kështu, në 14 ndeshje zyrtare që nga qershori i vitit 2017, nën drejtimin e Bushit kuqezinjtë i janë gëzuar vetëm një fitoreje. Ajo është arritur në transfertë përballë Islandës, ku fillimisht shënoi Kristal Abazaj 2 gola, e më pas për të siguruar suksesin mendoi Fiorin Durmishaj, i cili realizoi atë të fitores 3-2.

Ajo ishte ndeshja e tretë zyrtare e Bushit në drejtimin e kuqezinjve e që atëherë, rezultatet negative kanë qenë në modë. Kështu, në total janë arritur 6 barazime, ku spikat ai turpërues 2-2 me  Andorrën, apo edhe ata me Estoninë që nuk është skuadër e niveleve të larta. Pastaj janë humbjet, 7 të tilla brenda dhe jashtë fushe, ndërsa seria e ndeshjeve zyrtare pa fitore të kuqezinjve ka arritur 11 ndeshjet e dy vitet radhazi.

Shifra të cilat kanë bërë që tifozët e specialistët të ngrenë shpesh zërin për të ardhmen e kësaj përfaqësueseje e cila me lejen e drejtuesve të FSHF-së është kthyer në një autoshkollë për përdorim personal me zgjedhje të diskutueshme e pa një drejtim të qartë për të ardhmen e kuqezinjve. E të mendosh pastaj se kur Panuçi filloi të vihej në diskutim, brenda FSHF nisi të qarkullonte emri i Bushit si pasardhësi i tij…  /vipsport.al/