Statistikat e Shqipëri-Islandë / Për të fituar mjafton të shënojmë të parët. Por gjejmë rrjetën vetëm në 5 minutat e fundit

Ndeshja e sotme në “Elbasan Arena” mes Shqipërisë dhe Islandës do të jetë përballja e 7 mes këtyre dy përfaqësueseve, me bilancin që për momentin është plotësisht në favor të nordikëve, të cilët kanë fituar 4 ndeshje të mëparshme ndërsa kuqezinjtë 2, me asnjë sfidë të mbyllur në barazim.

Shqipëria vjen në këtë duel me humbjen më të thellë të këtyre eliminatoreve, një 4-1 në Paris, ku për herë të parë në ndeshjet e saj në këtë edicion, të dy skuadrat gjetën rrugën e rrjetës. Suksesi i kuqezinjve, apo edhe Islandës në këtë ndeshje duket thuajse i sigurt, pasi Shqipëria nuk mbyll një duel zyrtar në barazim në shtëpi që nga fillimi i vitit 2015 (5 fitore, 8 humbje).

Për më tepër, pritet të jetë një duel i luftuar që do të vendoset nga vetëm 1 gol diferencë, Përveç ndeshjes së parë mes dy ekipeve në maj 1990 të fituar 2-0 nga Islanda, të 5 takimet e tjera janë vendosur nga 1 gol.

Islanda nga ana tjetër vjen në Shqipëri me 4 fitore e një humbje në kualifikuese, por me statistikën domethënëse se ka mbyllur në avantazh secilën prej këtyre ndeshjeve të fituara në kualifikuese. Gjithsesi, edhe ajo nuk barazon në fushë kundërshtare që nga shtatori 2016  (3 fitore, 5 humbje).

Një statistikë shumë interesante është se Islanda nuk ka fituar asnjëherë jashtë fushe në kualifikueset europiane në historinë e saj kur ka pësuar gol e para, ndërsa ka fituar 9 nga 11 ndeshjet jashtë kur ka gjetur vetë golin e para.

Statistikat thonë se në tre ndeshjet e fundit mes dy skuadrave, goli i parë është shënuar brenda 25 minutave hapëse të takimit dhe gjithashtu se Shqipëria ka shënuar 4 nga 6 golat e saj në kualifikuese pas minutës së 85-të.

Lojtarët për t’u patur nën vëmendje janë Sokol Çikalleshi dhe Birkir Bjarnason. Çikalleshi ka arritur të gjejë rrjetën në dy ndeshjet e fundit të kuqezinjve, në të dy rastet duke nisur sfidën nga stoli. Kurse Bjarnason ka qenë autori i golit të parë të Islandës në 7 nga 11 ndeshjet në të cilat ka gjetur rrjetën. /vipsport.al/