Smajli: E di si luan Tirana por nuk e kemi Kupën objektiv, në kryeqytet vijmë për të bërë mirë

Shënkolli ka arritur të marrë një barazim surprizë në Kupën e Shqipërisë përballë Tiranës me rezultatin 0-0. Ky rezultat, ka kënaqur tifozerinë e Shënkollit që kishin mbushur shkallët e stadiumit për të parë një ndeshje të cilët, fati nuk ua rezervon shpesh për ta ndjekur.

Në një prononcim për “Supersport”, trajneri i Shënkollit, Dritan Smajli u shpreh se Tiranën e dinte mirë se si luan duke qenë se ishte pjesë e bardhebluve. Smajli pranoi se ndeshjen e kthimit do të synojnë të bëjnë një paraqitje të mirë por duket se nuk është pretendim kualifikimi.

“E di si luan Tirana dhe si e interpretojmë. Ne arritëm të bllokonim Tiranën edhe pse nuk rrezikuam. Donim të shijonim këtë ndeshje për tifozët sepse deri dje ishim në pikëpyetje a luajmë apo jo në Shënkoll. Nuk e kemi objektiv Kupën kuptohet, por në “Selman Stërmasi” do të shkojmë për të bërë paraqitje të mirë”, u shpreh Smajli. /Erjon Allaraj-VipSport.al/