Skënderbeu zyrtarizon goditjen e radhës në merkato, firmos mesfushori i Kosovës

Skënderbeu ka nisur të marrë një fytyrë tjetër dhe 3 javët e para duket se nuk e kanë bindur shumë trajnerin Ilir Daja, megjithëse ka marrë 2 fitore dhe ka pësuar një humbje. Kjo pauzë për shkak të Kombëtareve, duket se i ka shërbvyer shumë klubit korçar për të punuar të qetë për merkaton.

Ditën e djeshme firmosi Emanuel Esien ndërkohë që një tjetër futbollist është zyrtarizuar nga klubi korçar. Arbnor Muja është zyrtarisht futbollisti më i ri i bardhekuqve dhe ditën e djeshme është prezantuar me fanellën e Skënderbeut. Ai ka firmosur me korçarët pak ditë më parë por ka qenë i grumbulluar me Kosovën U21 dhe vetëm dje është bashkuar me skuadrën dhe pritet të jetë i gatshëm për Dajën në ndeshjen ndaj Tiranës.

“Talenti Arbnor Muja është bashkuar sot zyrtarisht me KF Skënderbeu. 20-vjeçari ka firmosur përpara përfundimit të merkatos kontratën që e lidh me KF Skënderbeu për 2 vitet e ardhshme por vetëm sot ka arritur të bashkohet me grupin si pasojë e angazhimit me ekipin përfaqësues Under21 të Kosovës.

Njoftimi:

“Gjatë sezonit të kaluar, 20-vjeçari u aktivizua tek Braunschweig II ku në 17 takime ka arritur të shënojë 7 herë. Ndërkohë me përfaqësuesen Under21 të Kosovës talenti bardhekuq është aktivizuar në 4 takimet kualifikuese për Kampionatin Europian.

Muja do të jetë në dispozicion të trajnerit Daja dhe stafit teknik për takimin e së shtunës ndaj KF Tirana”, shkruhej në njoftimin e klubit. /Erjon Allaraj-VipSport.al/