Skandali/ E rrallë në histori, Komisioni nxjerr me karton të kuq Teqjan pse foli në… TV

Federata Shqiptare e Futbollit ka publikuar ditën e sotme vendimet e dhëna nga Komisioni i Disiplinës dhe mes të tjerash, ishte edhe një dënim qesharak për mbrojtësin e Kukësit, Olsi Teqja. Ky i fundit, i ftuar në një emision televiziv ka folur për ndeshjen e fundit mes Kukësit dhe Laçit, duke u shprehur se arbitri i ka komunikuar se nuk kishte kufje dhe nuk ishte marrë vesh me anësorin.

Kaq ka mjaftuar që FSHF të dënojë me 2 ndeshje pezullim Teqjen, duke e konsideruar deklaratën e tij kundër interesave të FSHF-së dhe në bazë të nenit 10/1/d në statutin e FSHF-së. Në fakt, ky nen thotë: Të jetë besnik ndaj FSHF që nënkupton në veçanti që anëtarët duhet të mos marrin veprime kundër interesave të FSHF”. Ky nen, nuk e tregon se çfarë nënkuptohet me besnikëri ndaj FSHF-së dhe cilat deklarata dalin kundër, e madje nuk parashikon asnjë dënim.

Sikur të mos mjaftonte kjo, FSHF e ka dënuar Teqjen në bazë të nenit 18 të KDS-së i cili thotë: “Masë ndëshkimore largimi nga ndeshja (karton i kuq)”. Olsi Teqja ka luajtur titullar në takimin ndaj Laçit dhe nuk është ndëshkuar me karton të kuq nga gjyqtari kryesor, duke e nxjerrë automatikisht blof mënyrën se si FSHF i arsyeton dënimet, në bazë të neneve. I vetmi karton të kuq që Teqja mund të ketë marrë, ndoshta mund të jetë dhënë në zyrat e FSHF-së, vetëm e vetëm se futbollisti zbuloi të vërtetën me ndryshimin e gjyqtarit. /Erjon Allaraj-VipSport.al/

Neni 10/1/d
Neni 18, KDS