Skandal në kualifikueset e Botërorit, djali i legjendës angleze grabitet dhe sulmohet me thikë

Kur në Europë luhen kualifikueset për në Europianin e vitit të ardhshëm, në Afrikë kanë nisur kualifikueset për Botërorin e vitit 2022 që do të luhet në Katar. Një nga ndeshjet më problematike në ditët e fundit, ka qenë ajo mes Liberisë dhe Sierra Leones, e fituar nga këto të fundit me rezultatin 0-1, por që gjithsesi ka mbetur jashtë Botërorit.

Ndeshjen e parë, e kishte fituar Liberia 3-1 dhe Sierra Leones i duhej një fitore 0-2 për të kaluar më tej. Ka qenë një penallti e humbur nga futbollistët e Sierra Leones, që ka bërë tifozët të pushtojnë fushën dhe të sulmojnë këdo që ndodhej aty. Pre e këtij sulmi, ka rënë edhe Herri Lineker, djali i legjendës angleze, Geri Lineker. Ai ishte si kameraman dhe po filmonte ndeshjen e në momentin që është pushtuar fusha, Herri ka hyrë në tunele.

Gjithsesi, tifozët kanë arritur të hyjnë edhe në tunele dhe e kanë sulmuar Herrin, duke i grabitur gjithçka. Diçka të tillë e ka zbuluar për mediat angleze vetë legjenda Geri Lineker, i cili shprehet se djali i tij mund të kishte humbur jetën në këtë ndeshje sepse ka pasur edhe sulme me thika.

“Herri ishte në Afrikë dhe po filmonte në Sierra Leone ndeshjen mes Liberisë dhe Sierra Leones. Liberia e fitoi ndeshjen e parë 3-1 ndërsa në ndeshjen e dytë ata po filmonin në dhomat e zhveshjes, së bashku me tifozët. Herri im ishte duke humbur jetën, u trembëm shumë.

Sierra Leone kishte një gol por duhej edhe një tjetër dhe në minutën e fundit kishte një penallti të humbur nga vendasit. Kjo ka bërë që tifozët të hyjnë në fushë dhe të sulmojnë me gurë. Herri dhe djemtë e kamerave kanë vrapuar për t’u fshehur në tunel, por të gjithë tifozët kanë hyrë dhe kanë qenë rreth 50 apo 60 të tillë. Ata i kanë marrë rrobat, telefonin dhe gjithçka nga portofoli duke i lënë vetëm paketën. Ai ka parë edhe thika dhe ka menduar se do të qëllohet me të.

Këtë e mësova mbrëmjen e kaluar dhe kam qëndruar gjysmën e natës i zgjuar. Ai është mirë dhe rrugës për në shtëpi dhe nuk dua që të kthehet në një dramë. Ishte dita e fundit që filmon. Ai nuk ka më telefon por më kontaktoi me laptop dhe më siguroi që është mirë”, tregon legjenda angleze në lidhje me momentet e tmerrit që ka përjetuar djali i tij. /Erjon Allaraj-VipSport.al/