Shqipëria “merr në qafë” Islandën, përmirësohet Turqia dhe bien dy kundërshtarët e radhës

Renditja e FIFA-s u publikua ditën e sotme dhe të shumta ishin skuadrat të cilat kanë ndryshuar pozicion në këtë klasifikim. Shqipëria nuk ka lëvizur nga vendi pasi u mund nga Franca dhe mundi Islandën, por kjo ndeshje ka pasur jo pak ndikim.

Nga humbja në Elbasan, e ka pësuar rëndë Islanda e cila ka humbur 5 vende në klasifikimin e përgjithshëm, duke u renditur tashmë në vendin e 41. Ndërkohë, një vend ka fituar Turqia, skuadra me të cilën do të përballet Shqipëria pas pak javësh dhe e sheh veten në vendin e 36 në klasifikimin e përgjithshëm.

Dy kundërshtarët më të lehtë në grupin tonë, mbeten Andorra dhe Moldavia, ku të dyja skuadrat kanë humbur pozicione në klasifikim. Andorra renditet në vendin e 139 dhe ka humbur 3 pozicione në krahasim me muajin e shkuar, ndërsa Moldavia renditet në vendin e 172 dhe ka humbur 1 pozicion. Franca që është edhe favoritja kryesore për të fituar Europianin, ka fituar një pozicion duke u renditur në vendin e dytë në klasifikimin e përgjithshëm. /Erjon Allaraj-VipSport.al/