Shpresat zbresin sot në fushë për testin e luksit, përballë kanë “thesarët” e klubeve elitare

Shqipëria U21 do të zbresë sot në fushë në një ndeshje miqësore, aty ku do të provojë forcën përballë Francës U21. Kuqezinjtë i pret një ndeshje mjaft e vështirë duke qenë se do të luajnë përballë një nga skuadrave më të mira në botë, por kuqezinjtë e vegjël kanë treguar se ndaj skuadrave të mëdha, dinë të bëjnë paraqitje pozitive.

Të besuarit e Bushit, do të provojnë veten në Amiens, përballë një skuadre që kushton mbi 300 milionë euro në total. Futbollistët e Francës janë pjesë e skuadrave më elitare në Europë dhe shihen nga klubet e tyre si “thesare” për të ardhmen, duke qenë se kushtojnë shumë që në këtë moshë, ndërkohë që me fitimin e minutave dhe me paraqitjet e mira, mund të shumëfishojnë vlerën e tyre.

Sa i përket skuadrave, Bushi pritet të ketë një grup të plotë dhe pa shqetësime apo mungesa me përjashtim të Selahit që u largua ditën e djeshme dhe vendin e tij e zuri Sahiti. Nga ana tjetër, Francës i janë larguar disa futbollistë dhe janë bashkuar me ekipin e parë, por kjo nuk do të thotë se skuadra e “gjelave” është dobësuar. Takimi do të luhet duke nisur nga ora 21:00, mbrëmjen e sotme.

21:00 Francë U21-Shqipëri U21