Shaqirit i mbeti hatri prej shiritit të kapitenit, Xhaka: Nuk e kam problem, le ta marrë ai

Habiti jo pak mungesa e Xherdan Shaqirit në këtë grumbullim të Zvicrës për dy ndeshjet kualifikuese të Euro 2020, ndaj Irlandës dhe Gjibraltarit. Fillimisht u njoftua se sulmuesi kishte preferuar të qëndronte dhe të stërvitej te Liverpuli me trajnerin Klop, si një mënyrë për të fituar më shumë hapësira me kampionët e Europës. Megjithatë, së fundmi siç raportohet nga mediat zvicerane, mungesa e vërtetë e Xherdan Shaqirit është shiriti i kapitenit.

Kapiteni i parë është Stefan Likshtajner, mirëpo me mungesën e mbrojtësit, shiriti kaloi në krahun e Granit Xhakës. Shaqiri preferon të ishte ai kapiteni, ndaj refuzoi thirrjen nga Zvicra. Ndërkohë, pas këtyre zërave ka reaguar edhe Xhaka, i cili shprehet se të dy janë të rritur dhe mund të flasin për këtë temë. Nëse sulmuesi është i pakënaqur prej shiritit, atëherë ai mund ta marrë atë, pasi për mesfushorin e Arsenalit kjo çështje nuk përbën problem.

“ Nëse shiriti i kapitenit është problemi, atëherë mund të ulemi bashkë dhe të bisedojmë. Jemi mjaftueshëm të rritur për të folur. Nëse është i pakënaqur prej shiritit të kapitenit, atëherë mund ta marrë. Shiriti nuk është i rëndësishëm për mua, dua të jap gjithçka për skuadrën, si me shiritin kapitenit si pa atë”, u shpreh Xhaka.

/Egi Çabeli-VipSport.al/