Shaqiri vendos në dyshim prezencën me Zvicrën, këtë javë takim vendimtar me trajnerin

Xherdan Shaqiri refuzoi grumbullimin e fundit të Kombëtares zvicerane për ndeshjet kualifikuese të Euro 2020. Fillimisht u mendua se arsyeja e përgjigjes negative nga sulmuesi, ishte fakti se kërkonte t’i përkushtohej stërvitjeve me Liverpulin në atë moment.

Megjithatë, mediat zvicerane njoftuan se Shaqiri ishte i pakënaqur me faktin se nuk ishte zgjedhur kapiten, ndërsa shiriti ishte në krahun e Granit Xhakës. Ndërkohë, mesfushori i Arsenalit, shprehu gatishmërinë për t’ia kaluar shiritin e kapitenit Shaqirit, pasi për të nuk ishte problem.

Ndërkaq, këtë javë trajneri i Zvicrës, Vladimir Petkoviç dhe menaxheri i skuadrës do të takohen me sulmuesin për të sqaruar situatën. Një takim vendimtar për të ardhmen e Shaqirit me Zvicrën, pasi një refuzim tjetër i ftesës nga futbollisti atëherë do të detyronte Federatën ta përjashtonte dhe të mos e llogariste si pjesë të Zvicrës.

/Egi Çabeli-VipSport.al/