Rrëfehet Josa: E vuaj ende rënien e Tiranës, në Korçë ndërtuam klub, ja rivalët për titull

Pak ditë më parë u zyrtarizua largimi i tij nga stoli i skuadrës së Prishtinës. Mirel Josa ishte nga trajnerët e parë shqiptarë që provoi të drejtonte në kampionatin kosovar. Josa iu afrua për dy sezone me radhë titullit por nuk ja doli. Rezultate negative në dy javët e para të Superligës së Kosovës, bën që kryesia e Prishtinës të dilnin me vendim duke ndërprerë bashkëpunimin me trajnerin nga Tirana…

Në një prononcim që ka dhënë për “Rtshsport”, Mirel Josa ka folur edhe për periudhën kur ka drejtuar Tiranën, futbollin kosovar dhe evolimin e tij në vitet e fundit, si dhe garën për titull në Superiore…“E vuaj ende rënien e Tiranës nga Kategoria, por mendoj se duhet që të kisha vepruar. U vuajt shumë ajo rënie nga Superiorja. Unë si Mirel kam bërë punën duke dhënë më të mirën time në të gjitha klubet ku kam punuar.

Skënderbeu

Josa kujton me nostalgji edhe periudhën si trajner te Skënderbeu, aty ku me korçarët provoi që të shpallej kampion, por edhe Kupa e Superkupa. Ndërsa kalimi i tureve në Europë, sigurisht që ka qenë një tjetër arritje për klubin bardhekuq. “Një mënyrë pune dhe një punë shumë të mirë kemi bërë te Skënderbeu. U punua disa vite nga të gjithë faktorët që të ktheheshin në një klub të mirë organizuar”.

Rivaliteti

Josa e njeh mirë futbollin shqiptar, ka drejtuar shumë ekipe në nivele të larta dhe lidhur me rivalitetin e këtij sezoni, ka shtuar se: “Partizani, Kukësi e Laçi janë klube mjaft të organizuar. Partizani është kampion në fuqi, Kukësi investohet por edhe Laçi është një surprizë e bukur”.

Kosova

“Si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë nuk ka diferenca të mëdha. Por, ajo që unë vura re atje është se ka shumë talente dhe kjo vihet re qartë edhe në ekipet përfaqësuese. Kosova ka përparuar shumë si Kombëtare në këto vitet e fundit”, – tha trajneri Mirel Josa në mbyllje të prononcimit.

E.S./Vipsport.al/