Rinovim te Partizani, një prej të paprekshmëve të titullit firmos për dy vite

Klubi i Partizanit përveçse ka afruar shumë futbollistë gjatë merkatos së verës, ka filluar të mendojë se si të sigurojë për një periudhë sa më afatgjatë edhe ata elementë cilësore që ka në përbërje. Kështu, në klubin e kuq kanë filluar edhe rinovimet e disa lojtarëve të cilët iu treguan vendimtare në fitoren e titullit kampion.

I tillë është Jurgen Bardhi, kontrata e të cilit përfundonte në mbyllje të këtij viti. Në klubin kryeqytetas kanë filluar prej disa kohësh bisedimet për firmën dhe kanë finalizuar gjithçka sot, duke lidhur futbollistin me një marrëveshje të re dyvjeçare, që mbyllet në qershor 2021. Në këtë mënyrë, të kuqtë nuk do të humbasin lojtarin me parametër zero pas pak muajsh apo në verën e ardhshme, periudhë kur pritet që për të të ketë oferta pasi po ndiqet prej kohësh me interes nga disa klube jashtë Shqipërisë.

NJOFTIMI I PARTIZANIT

Klubi i Futbollit Partizani zyrtarizon zgjatjen e bashkëpunimit me Jurgen Bardhin. Drejtuesit kanë rinovuar kontratën me sulmuesin 21 vjeçar i cili do të jetë pjesë e 16 herë kampionëve të vendit deri në vitin 2021.

Bardhi, pjesë e klubit që nga ekipet zinxhir të Akademisë, gëzon besimin e plotë të drejtuesve, falë performancave pozitive që ka dhuruar me fanellën e kuqe, duke u konsideruar një prej lojtarëve më të spikatur të kampionatit tonë. / vipsport.al/