Rikthimi i Zidan në stol për herë të dytë një dështim, Reali mendon për ish-trajnerin e Juventus

Zinedin Zidan u rikthye te Real Madrid në fundin e sezonit të kaluar me mendjen për të përsëritur edhe njëherë sukseset e viteve të kaluara ku arriti të triumfonte tre herë radhazi në kompeticionin më të rëndësishëm për klube, Champions League.

Por deri më tani, aventura e teknikut francez nuk ka shkuar sipas parashikimeve teksa javët e para te kampionatit skuadra nuk ka bindur, ndërsa performanca në Europë ishte për t’u harruar. Kështu, Zidan tashmë është në fije të perit dhe presidenti Perez ka nisur të mendojë për pasuesin.

Së fundmi, u përfol për Murinjon, por portugezi e mohoi një lajm të tillë. Ndërkaq, nga mediat italiane ka dalë lajmi se emri i fundit është ai i trajnerit Masimiliano Alegri.

Ish-trajneri i Juventusit është i lirë për momentin dhe mund ta konsiderojë si mundësi klubin madrilen, teksa ka pasur një flirt edhe më parë. Megjithatë, gjithçka do të varet nga rezultatet e skuadrës në këto javë.

E.S./Vipsport.al/