Rekord tifozësh për Kategorinë e Parë, Apolonia merr masat për mbarëvajtjen e ndeshjes

Apolonia-Lushnja është një ndeshje që ka prodhuar interes, sidomos kur të dyja ekipet kanë qenë në Superiore. Një derbi që i ka pasur brenda të gjitha, spektakël në fushë, apo edhe incidente, lojë të bukur, por edhe mijëra tifozë në shkallët e stadiumit, si në Fier ashtu edhe në Lushnjë!

Vitet e fundit, në Kategorinë e parë sikur interesi është zbehur disi, por këtë fundjavë në Ballsh ku edhe do të luhet sfida pasi Apolonia është pritëse pritet ë të ketë mjaft interes. Madje, pritet që të ketë shumë tifozë nga Fier, Lushnja, por edhe nga Ballshi që vjet i kanë pasur rivalë dhe nuk kanë shkuar mirë me lagunarët, aq më tepër në “Roza Haxhiu” ka pasur incidente në të dyja sfidat.

Klubi fierak i ka marrë të gjitha masat, duke njoftuar me shkresë policinë, autoambulancën, zjarrëfikësen, por në këtë sfidë pritet që të ketë edhe FNSH nga Fieri.

Takimi Apolonia-Lushnja luhet të dielën në orën 16:00, në “Adush Muça”.

E.S./Vipsport.al/