Ramos ëndërron trofeun e Topit të Artë: E ka fituar Kanavaro, pse mos të e fitoj dhe unë

Sexho Ramos është padyshim një nga mbrojtësit, për të mos thënë më i miri në vitet e fundit në futboll. Kapiteni i Real Madrid ka fituar të gjithë titujt e mundshëm me madrilenët, ndërkohë trofetë më prestigjiozë nuk i kanë munguar as me Spanjën. Ndërkohë, në sukseset mes klubit dhe Kombëtares, ai ka qenë gjithnjë aty, gjithnjë protagonist.

Jo vetëm duke bërë punën e tij në mbrojtje, por edhe me golat, teksa është një nga mbrojtësit me numrin më të madh të golave në histori. Shifra të cilat bëjnë xhelozë edhe disa sulmues. Së fundmi në një intervistë për As, 33-vjeçari është shprehur se përderisa Topin e Artë e ka fituar një mbrojtës si Kanavaro, përse të mos e fitoj edhe ai.

“ Nuk rresht për asnjë moment së ëndërruari. Kam akoma uri për të fituar me Real Madrid. Të fitoja Champions-in e pestë do të ishte diçka e çmendur. Por e njëjta vlen edhe për Spanjën, të fitonim europianin apo botërorin. E vetmja të cilën nuk e kuptoj nëse është afër apo larg, është Topi i Artë. Nëse një mbrojtës si Kanavaro ia doli të fitonte, atëherë pse të mos e marr edhe unë?” , u shpreh Ramos.

/Egi Çabeli-VipSport.al/