Perez e pranon: Kemi ndjekur Nejmar, do ta provojmë përsëri

Presidenti i Real Madrid, Florentino Perez, konfirmon se klubi i tij ashtu si Barcelona, ka qenë në ndjekje të Nejmar, e jo vetëm. Edhe pse madrilenët u treguan shumë aktivë në merkato këtë verë, ata përsëri nuk duket se kanë rregulluar shumë problemet që kishin në ekip. ndaj në ditët e fundit të merkatos, janë përpjekur që të afrojnë Nejmar për ta bërë pjesë të planit të Zinedin Zidan.

“Nuk kemi investuar kurrë kaq shumë. Edhe pse kemi pasur një grup të mirë në dispozicion, kemi afruar 6 futbollistë të rinj. Çështjen e Nejmar e kemi ndjekur nga distanca, ashtu si Bruno Fernandes. Por kjo nuk do të thotë që nuk do ta provojmë përsëri t’i afrojmë vitin e ardhshëm. Kur është e mundur, dua të afroj më të mirët dhe po punojmë në këtë aspekt edhe pse futbolli është bërë i komplikuar”, mësohen të kenë qenë fjalët e tij me disa aksionerë të klubit para Asamblesë.

Perez ka shpjeguar se ka besim që grupi aktual do të mund të reagonte përballë vështirësive që ishin shfaqur, ndërsa shtoi se kishte bërë maksimumin për të afruar të paktën Pol Pogba. “Kur një klub nuk dëshiron të shesë, nuk ke se çfarë bën”, tha ai. /vipsport.al/